
Në Shqipëri, liria dhe pavarësia e medias, kërcënohen nga konfliktet e interesave mes botës së biznesit dhe asaj politike një kuadër ligjor i mangët dhe rregullim partiak. Kështu thuhet në raportin e Reportereve Pa kufij për Lirinë e Medias, për vitin 2026. Vendi ynë ka shënuar rënie sipas indeksit botërorë të lirisë së shtypit duke u renditur në vend të 83 krahasuar me vitin e kaluar ku gjendej në të 80-tin. Sipas raportit gazetarët përballen me presion politik, veçanërisht gjatë zgjedhjeve.
Politikanët kufizojnë pavarësinë editoriale duke politizuar rregullatorët e medias dhe duke emëruar ata që janë përgjegjës për median publike. Gazetarët që kritikojnë autoritetet shpesh i nënshtrohen sulmeve të dizajnuara për t'i diskredituar ata si nga qeveria ashtu edhe nga opozita, dhe ata kanë vështirësi në marrjen e informacionit shtetëror, qasja në të cilin mund të jetë edhe më e kufizuar nga një centralizim i kohëve të fundit i komunikimeve qeveritare.
Ndërsa ka qindra media online në vend, vetëm një numër i vogël kanë një model biznesi të qëndrueshëm me financim transparent, sipas raportit. Si media kryesore përmenden transmetuesi publik RTSH, Top Channel, TV Klan, A2 CNN, Syri TV dhe RTV Ora.
Reporterë pa kufij përmend si problematikë ndalimin e mediave për të mbuluar çështje sensitive dhe vendimin e qeverise për të bllokuar Tik Tok, ne 2025, që sipas gjykatës kushtetuese ishte shkelje ndaj lirisë së medias. Gazetarët që mbulojnë demonstratat dhe operacionet policore ndonjëherë janë viktima të dhunës policore. Por krimi i organizuar përfaqëson një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë e gazetarëve.
Edhe pse policia kohët e fundit ndërmori hapa për të hetuar sulmet kundër gazetarëve, pandëshkueshmëria për këto krime, e kombinuar me përpjekjet politike për të diskredituar gazetarët, ka krijuar një klimë që ka të ngjarë t inkurajojë sulme të mëtejshme.
Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor sipas indeksit botëror të lirisë së shtypit që ka shënuar përparim në lirinë e medias, duke u renditur në vend të 84-ërt, 15 vende më mirë se vitin paraprak. Me përjashtim të këtij vendi, liria e shtypit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi po përkeqësohet. Mali I zi, pozicionohet më mirë, ne vend te 41 ndërsa Serbia është e fundit, në vend të 104. (A2 Televizion)