Në ambientet e Piramidës së Tiranës u zhvillua “Lifestyle Conference 2026”, një konferencë shkencore që vuri në fokus ndikimin e stilit të jetesës në shëndet dhe rëndësinë e parandalimit përmes një qasjeje multidisiplinare. Kjo konferencë organizohet nga Freskida Miloti, autorja e emisionit “Diagnozë” në A2 CNN dhe drejtueses së Revistës Shkencore me të njëjtin emër.
Aktiviteti mblodhi profesionistë nga fusha të ndryshme, nga mjekësia, farmacia, shëndeti publik dhe komunikimi, duke krijuar një platformë diskutimi mbi sfidat aktuale të shëndetit.
Gjatë konferencës u trajtuan tema të rëndësishme si menaxhimi i traumës dhe faktorët ndikues për shkak të stilit të gabuar të jetës, shëndeti mendor, kardiologjia, stomatologjia dhe roli i teknologjisë, si dhe ndikimi i faktorëve të riskut në jetën e përditshme.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua të rinjve dhe sjelljeve me risk, ku ekspertët theksuan nevojën për edukim të vazhdueshëm dhe politika parandaluese më efektive.
Diskutimet u fokusuan gjithashtu në rëndësinë e bashkëpunimit mes profesionistëve dhe institucioneve për të reduktuar riskun dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës. Në përmbyllje, u theksua roli kyç i medias dhe komunikimit publik në edukimin shëndetësor dhe në luftën kundër dezinformimit. “Lifestyle Conference 2026” përcolli mesazhin se ndërgjegjësimi dhe vendimmarrja e informuar janë thelbësore për një shoqëri më të shëndetshme. (A2 Televizion)