Helikopterët zjarrfikës u ngritën sërish në ajër të martën. Ndërhyrja e tyre u kërkua në Riban të Mallakastrës, ku flakët që përfshinë një masiv me pisha dolën jashtë kontrollit.
Në terren u angazhuan edhe të paktën 50 efektivë zjarrfikës. Për shkak të relievit të thyer, ata u detyruan të ndërhynin me lopata dhe mjete rrethanore.
Shërbimet e Policisë evakuuan 15 familje, si dhe bagëtitë dhe kafshët e tyre shtëpiake, ndërsa vijojnë kontrollet dhe angazhimi në të gjithë territorin e prekur nga flakët.
Situata e rënduar në Riban u ndoq nga afër edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit. Në një intervistë për A2 CNN, Arben Cara bëri të ditura zonat që vijojnë të përballen me flakët.
Vatra zjarri u regjistruan edhe në Nivicë, në Bashkinë Himarë, ku flakët përfshinë një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi. Zjarret nuk po prekin vetëm sipërfaqet pyjore, por gjithnjë e më shpesh edhe banesat.
Në Fiershegan, flakët, që dyshohet se u shkaktuan nga një kondicioner, shkrumbuan thuajse plotësisht shtëpinë e një çifti të moshuarish. Dy të moshuarit arritën të dilnin në kohë dhe të shmangnin tragjedinë, falë edhe ndërhyrjes së fqinjëve.
Paralelisht me hetimet për zbardhjen e shkaqeve, autoritetet po punojnë edhe për identifikimin dhe arrestimin e personave përgjegjës.
Në Mallakastër u arrestua në flagrancë një 54-vjeçar, i cili dyshohet se ndezi qëllimisht një zjarr që dogji rreth 400 pemë ulliri. (A2 Televizion)