Organizohet festa e Koranit në Pogradec

Nga Artin Halili
14 Shtator 2024, 16:01 | Aktualitet

Pogradeci ka organizuar për herë të parë festën e peshkut Koran, species unike që rritet vetëm në liqenin e Pogradecit. Kjo periudhë konsiston edhe me pasurimin e liqenit me rasatë të rinj korani. Këtë vit sipas, kryetarit të Bashkisë Ilir Xhakolli, Pogradeci mbyll sezonin veror për të vijuar me aktivitetet e vjeshtës, ndërsa për Olsi Çekiçin inspektor peshkimi, sasia e koranit që hidhet çdo vit është në rritje, ndryshe nga Ohri që ka vite që nuk bën pasurim, shkruan A2 CNN.

Organizimi solli si pjesë të tij edhe panairin e restoranteve të cilat shfaqën për publikun dhe të pranishmit gatimet e llojeve të ndryshme të tavave të koranit.

Të shumtë ishin turistët e huaj që ndoqën nga afër këtë festë, ndërsa mbetën të mahnitur nga gatimet e koranit dhe mikpritja që ofrohej. Chiara Costanzo u shpreh e surprizuar nga Pogradeci të cilin e viziton për herë të parë.

“Vij nga Katania e Italisë, mbërrita mbrëmjen e kaluar, më pëlqen shumë atmosfera dhe mirësjellja  e popullit shqiptar. Në këtë festë provova peshkun koran, i cili është unik në botë, sepse rritet në këtë liqen dhe isha shumë kurioze. Varietetet që ofroheshin këtu më pëlqyen shumë, jeni shumë të sjellshëm dhe jam e mbushur plot nga atmosfera. Ah më pëlqeu shumë edhe rakia”, thotë ajo.

“Çdo gjë duket shumë bukur,  pashë nga afër gatimet e ndryshme të peshkut këtu dhe vërtetë më hapën oreksin, tani jam i uritur. Është hera ime e parë këtu, më pëlqeu pamja, malet dhe liqeni këtu”, thotë një turist gjerman. 

Festivali pati si pjesë edhe vlerësimet për gatimin më të mirë të Koranit, ndërsa ky edicion i parë ishte fillimi i një feste që tashmë do të kthehet në traditë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos