Pa debate, miratohet buxheti i 2024 për Bashkinë Tiranë! Partia e Lirisë i jep një palë pranga Veliajt: Dhuratë për fundvit

Nga A2 CNN
22 Dhjetor 2023, 16:39 | Aktualitet

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi i "ka dhuruar" live një palë pranga Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ky episod u regjistrua në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në ditën, kur u miratua edhe buxheti.  Blushi tha se “kjo dhuratë” është ajo që meriton Veliaj për fundvit, duke e akuzuar për aferën e Inceneratorëve.

“Dhurata që meriton për Vitin e Ri për aferën e inceneratorëve. Prangat janë drejtësia për aferën e inceneratorit inekzistent të Tiranës dhe për qindra milionë euro të vjedhura përmes kësaj skeme kriminale. Prangat janë simboli i ndëshkimit për keqmenaxhimin dhe vjedhjen e taksave tona në këto vite. Prangat janë ndëshkimi për betonizimin dhe shkatërrimin e Tiranës. Prangat janë shpagimi për shtëpitë e shembura në shkelje të ligjit, për gjobat e padrejta, për braktisjen dhe lënien në harresë të qytetarëve në nevojë dhe personave me aftësi të kufizuara. Prangat janë simboli i drejtësisë, me paanësi dhe jo me regji”, tha Blushi.

Në një skenë që i ngjau asaj që është regjistruar edhe në Kuvendin e Shqipërisë, përtej aksioneve të opozitës, Buxheti i Tiranës për vitin 2024 u miratua me shpejtësi, pas shumë debate.

Opozita në bllok ka hedhur akuza të forta në drejtim të kryebashkiakut Erion Veliaj si edhe kryeministrit Edi Rama, si personat që fshihen pas aferës së Inceneratorëve, sipas së cilëve SPAK i amniston. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos