“Performuam 12 minuta”, këngëtarja korçare rrëfen emocionet e performancës në NBA

Nga A2 CNN
6 Prill 2026, 08:52 | Aktualitet

Këngëtarja shqiptare Kamila Nameti është bërë virale në rrjetet sociale pas një performance që ka përfaqësuar kulturën shqiptare në një event të NBA në SHBA, duke ngjallur krenari tek shqiptarët në mbarë botën.

Në një lidhje me Dita Jonë në A2 CNN, këngëtarja me origjinë nga Korça ka rrëfyer emocionet e performancës në NBA. Sipas saj ishte hera e parë që artistë nga treva të ndryshme shqiptare mblidheshin për një performancë të tillë.

“Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur dhe speciale. Ishte hera e parë që u mblodhëm të gjithë nga rajone të ndryshme të Shqipërisë,” u shpreh ajo.

Kamila tregoi se pjesëmarrja e saj erdhi pas një përzgjedhjeje nga komuniteti shqiptar në SHBA, kryesisht në zonat e Illinois dhe Ëisconsin, të cilët organizuan eventin në bashkëpunim me NBA.

“Komuniteti shqiptar në Illinois ka bërë një propozim drejtuar NBA-së për të qenë pjesë e një eventi të tillë. Kam qenë e përfshirë me komunitetin shqiptar dhe kjo besoj ka qenë arsyeja pse më përzgjodhën,” tha ajo në Dita Jonë në A2 CNN.

Ajo tregoi se programi artistik shqiptar zgjati rreth 12 minuta dhe përfshinte këngë dhe valle nga të gjitha trevat shqiptare. Kamila interpretoi dy këngë një në hapje dhe një në mbyllje, ndërsa mes tyre u performuan valle tradicionale si ajo e Tropojës, nga Tirana dhe elementë nga jugu i vendit.

“Unë kam performuar dy këngë, këngën hapëse dhe kënga mbyllëse ka qenë Xhamadani. Midis kemi pasur Vallen e Tropojës, Tirana, pastaj kemi pasur dhe rajonin e jugut me Katjushkën. Minutazhi ka qenë rreth 12 minuta dhe u munduam që të përfshinim sa më shumë të ishte e mundur”, shtoi ajo në Dita Jonë në A2 CNN.

Këngëtarja, me origjinë nga Korçë, jeton prej rreth tetë vitesh në SHBA, ku studion për biokimi në Chicago. Ajo e konsideron muzikën si pasion, ndërsa studimet si prioritet.

“Familja ime ka qenë gjithmonë shumë mbështetëse për muzikën. E kam nisur me serenatat korçare,” u shpreh ajo.

Një nga momentet më emocionuese për të ishte reagimi i familjes, veçanërisht telefonata nga babai i saj.

“Më telefonoi në 5 të mëngjesit dhe më tha: ‘Jam babai më i lumtur në botë’. Ishte moment shumë i veçantë për mua,” tregoi ajo në Dita Jonë në A2 CNN.

Pas suksesit të kësaj performance, Kamila bëri të ditur se ka plane për evente të tjera me komunitetin shqiptar në SHBA gjatë muajve në vijim.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos