Programi Kombëtar për Rijetëzimin e Kullave ka nisur me ndërtimin e një baze të plotë të dhënash për trashëgiminë kulturore.
Inventarizimi i kullave në katër qarqe: Lezhë, Shkodër, Dibër dhe Kukës, sipas ministrit Blendi Gonxhe, do të ndihmojë edhe në hartimin e një programi të plotë dhe të integruar për rijetëzimin e kullave: “Janë inventarizuar dhe dokumentuar 523 kulla, duke përfshirë elemente të arkitekturës, etnografisë, trashëgimisë kulinare dhe potencialit turistik. Është ngritur një platformë digjitale GIS që shërben si instrument për planifikim dhe vendimmarrje. Deri më tani janë zhvilluar 6 seminare sensibilizuese me mbi 300 pjesëmarrës nga komunitetet lokale, janë përfshirë aktivisht 13 bashki dhe është krijuar një lidhje e drejtpërdrejtë me universitetet, ku 39 studentë kanë kontribuar dhe janë realizuar 28 projekte restaurimi. Në këtë proces janë mobilizuar 8 fusha të ndryshme ekspertize, duke garantuar një qasje multidisiplinare”.
Edhe ky mision nuk do të jetë i thjeshtë, pasi një nga problematikat që shoqëron procese të tilla nëvendin tonë është edhe çështja e pronësisë, fjalë që trazon prej vitesh shoqërinë shqiptare, shkruan A2.
“Një komponent i rëndësishëm i punës aktuale është adresimi i çështjeve të pronësisë, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, e cila i është bashkuar rrjetit të partnerëve të programit, si dhe krijimi i kushteve për tërheqjen e investimeve private në këto asete. Në këtë kuadër, po vijon puna në terren për asistimin e aplikantëve në procesin e pajisjes me certifikata pronësie, me synim përshpejtimin dhe lehtësimin e procedurave për përfituesit”, tha Gonxhja.
Sipas ministrit, kryefjala duhet të jetë te kullat si objekte që mund të restaurohen por, pa humbur pjesën thelbësore të identitetit kulturor që lidhet drejtpërdrejt me këto hapësira. (A2 Televizion)