“Fjalët e Arbana Osmanit dhe Monika Kryemadhit denigruese”, revolta e Rami Hadrojt në mbështetje të komunitetit rom

Nga A2 CNN
8 Prill 2026, 11:08 | Sociale

Sociologu Rami Hadroj, në një intervistë për “Dita Jonë” në A2CNN, deklaroi se “racizmi dhe notat e racizmit kohët e fundit po bëhen shumë denigruese në mediat shqiptare”.

“Doja të tërhiqja vëmendjen që fjalori apo shprehja frazologjike të përdorur në emër të minoritetit rom dhe egjiptian nuk janë më një trend, nuk janë pjesë e kulturës time sepse kjo më ka vrarë mua që të mundem të bëj universitetin në moshën 34-vjeçare. E kam mbaruar “bachelor” dhe në moshën 36-vjeçare kam mbaruar masterin, që do të thotë kam qenë tepër i vonuar dhe kjo për shkak të racizmit. Pra, lufta më e madhe në arsimin tim dhe në arsimin e fëmijëve rom sot dhe ajo çfarë ne luftojmë në organizatën tonë është lufta ndaj diskriminimit”, tha Hadroj.

“Sepse nëqoftëse nuk do të kishte diskriminim, patjetër që fëmijët romë shkëlqejnë ashtu siç janë duke shkëlqyer. Sot në Shqipëri ti ke mbi 150 të rinj romë dhe egjiptianë që vazhdojnë universitetin me nota shumë të mira. Ke mbi 25 studentë romë të ekselencës nëpër universitete ndërkombëtare. Janë gati katër apo pesë studentë romë dhe egjiptianë që janë duke ndjekur studimet doktorale në universitete prestigjioze botërore, që do të thotë neve rrugën e kemi të shtruar, por është një barrierë racizmi dhe këta njerëzit me emër të cilët dalin nëpër media kohët e fundit dhe vazhdojnë e i mëshojnë në sajë të injorancës që ata kanë, në sajë të mungesës për të lexuar dhe për t'u arsimuar. Ministria e Shëndetësisë ka marrë një nismë. Organizatat egjiptiane kanë marrë një nismë. Gjithashtu organizata jonë ka marrë një nisnë për të bërë denoncimet e tyre pranë institucioneve përkatëse dhe në ditët në vazhdim patjetër që ne do dalim në rrjetet tona sociale me deklaratat e duhura”, shtoi sociologu.

“Përdorimi i këtij fjalori denigrues nga mediat vërtetë më vret, më godasin në zemër dhe më lëndojnë. Jam lënduar për të dyja rastet e fundit, qoftë të Arbana Osmanit, qoftë edhe të Monika Kryemadhit, të cilat më kanë denigruar mua si akademik, jo vetëm komunitetin rom. Përsa i përket një shprehjeje, është ajo pushka e një minoriteti, e cila është shumë denigruese dhe nuk është pjesë e kulturës tonë. Ti nuk mund ta trashëgosh atë. Amerika, Anglia, i gjithë Perëndimi i ka hequr dhe nuk i ka lejuar. Nëse në Gjermani bisedon për Hitlerin me dikë tjetër, mund të dënohesh deri në pesë vite heqje lirie”, shtoi më tej sociologu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos