Pesë banesa janë shkrumbuar nga flakët në qytetin e Burrelit, pas një zjarri të rënë mbrëmjen e sotme.
Sipas policisë, zjarri fillimisht ka rënë në banesën e shtetasit me iniciale S.S., por flakët janë përhapur me shpejtësi duke djegur edhe banesat pranë.
“Si pasojë e përhapjes së flakëve të zjarrit janë përfshirë nga zjarri dhe janë djegur pjesërisht dhe 4 banesa të tjera që janë ngjitur me banesën e shtetasit S.S., banesa private me çati të përbashkët”.
Uniformat blu kanë ndërhyrë duke evakuuar banorët nga banesat që u përfshinë nga zjarri dhe nuk raportohet për asnjë banor të lënduar.
Zjarrfikësit po ashtu kanë bërë të mundur izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit.
Sakaq, grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të rënies së zjarrit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. (A2 Televizion)