Për shkak të abuzimeve me çmimet e fruta-perimeve, disa fermerë dhe tregtarë kanë zgjedhur të shmangin grumbulluesit e mëdhenj.
E konsiderojnë me më shumë fitim ta zgjedhin vet tregun e tyre.
Riza Çaushi, është një fermer në Ndroq, prej vitesh ai kultivon shalqi, e shet produktin e vet me 250 lekë, duke u lidhur direkt me tregtarët e vegjël, ose familjarët.
Njësoj kanë zgjedhur të bëjnë edhe disa tregtarë, Gëzim Gjoni, shkon personalisht në arat e fermerëve dhe e merr produktin me një çmim që i siguron atij fitim.
Por këto politika të fermerëve dhe tregtarëve mund t’i kenë ndihmuar ata që të fitojnë më shumë, por duket se nuk kanë patur ndikim aq pozitiv në çmimin final për konsumatorët.
Problemi i abuzimit me çmimet te frutat dhe perimet, u evidentua edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, që lajmëroi nisjen e hetimeve në tregjet e shumicës në disa qarqe, por pavarësisht kësaj, asgjë nuk ka ndryshuar në tregjet e vendit.
Eksperti i bujqësisë Gjok Vuksani thotë se në këtë industri ka nevojë për kontrolle të vazhdueshme, që nga faturat tatimore, deri te ndalimi i monopoliozimit të tregut.
Nga gjetjet e Autoritetit të Konkurrencës dhe nga denoncimet e vazhdueshem të fermerëve rezulton se nga prodhuesi te konsumatori çmimi i frutave dhe perimeve rritet mesatarisht me 80-100 lekë për kg. (A2 Televizion)