Pavarësisht përpjekjeve për të zhvilluar turizmin me varka apo anije turistike, Pogradeci nuk ka arritur ende të ecë përpara në këtë drejtim.
Më shumë sesa mungesa e anijeve turistike, kjo lidhet me mungesën e një porti dhe kapitenerie në këtë qytet. Ilir Xhakolli, kryetari i Bashkisë Pogradec, e konfirmon këtë dhe shkon më tej kur thotë se bashkia ka gati projektin për ndërtimin e një porti të ri dhe, bashkë me të, vendosjen e kapitenerisë në këtë qytet, shkruan A2 CNN.
Edhe qytetarët e shohin si diçka tepër të rëndësishme linjën ujore për qëllime turistike. Llazi Kërxhalli thotë se anija e parë që ka mbërritur në Pogradec nga Ohri ishte në vitin 1963. Ai shton se është shumë e rëndësishme vendosja e anijeve turistike për Pogradecin.
Bashkia Pogradec së fundmi ka një projekt në dorë për ndërtimin e një porti të ri, investim i cili pritet t’i hapë rrugën jo vetëm turizmit ujor me anije, por edhe stabilizimit të ankorimit të varkave në bregun e liqenit, për të cilat mungon një hapësirë e tillë prej vitesh. (A2 Televizion)