Prezantohet drejtori i ri i Postës së Durrësit

Nga Elitjona Doko
14 Shtator 2026, 15:29 | Aktualitet

Prezantohet drejtori i ri i Postës së Durrësit

Në drejtim të këtij institucioni, aq të përfolur muajt e fundit, për shkak të skandalit të vjedhjes së 69 milionë lekëve të rinj, do të vendoset ish-deputeti socialist Alban Xhelili.

Xhelili mbajti mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturën parlamentare 2021 – 2025.

Me profesion ekspert kontabël i miratuar, Xhelili vihet në drejtimin e Postës në një moment, kur institucioni që ofron një gamë të madhe shërbimesh përballet me vështirësi përsa i përket likujditeteve për shpërndarjen e pensioneve, ndihmës ekonomike etj.

Nuk kanë qenë të pakta rastet gjatë muajve të fundit, kur pensionistët janë detyruar të presin disa orë ose të shkojnë disa ditë me radhë pranë filialeve të Postës në Durrës për të tërhequr pensionet.

Në muajin korrik, filiali i Postës së Durrësit u përfshi nga një skandal financiar për të cilin u akuzuan drejtoresha Elizabeta Mataj, shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana.

Hetimet për zbardhjen e përgjegjësisë për këtë skandal vijojnë, ndërkohë që ish-drejtoresha Mataj është në burg, ndërsa për dy punonjëset e tjera të Postës gjykatat kanë dhënë masë më të lehtë sigurie “Arrest në shtëpi”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos