Pesë dita para nga 18 qershori, datë kur Gjykata Kushtetuese pritet të zhvillojë seancën e parë lidhur me katër ankimet e depozituara për të shfuqizuar pjesërisht ligjin që taton me 15 deri në 23 për qind profesionet e lira, para saj protestuan disa të vetëpunësuar, përfaqësues nga media dhe opozita.
Me sloganin “Mos rri si dele protesto”, organizuesit akuzuan se ligji rrezikon të zhbëjë shtresën e mesme në vend.
Në shenjë simbolike, si formë pakënaqësie ndaj atyre që nuk iu bashkuan protestës, pjesë e saj u bënë edhe disa dele.
Protestës i janë bashkuar edhe zëra nga opozita. Bie në sy prezenca e deputetes Dhurata Çupi, ish-deputetit Belind Këlliçi, Sekretarit Organizativ të PD, Klevis Balliu dhe Tedi Blushit nga Partia e Lirisë.
Po ashtu, edhe pse të ndarë nga përfaqësuesit demokratë, protesta duket se ka bashkuar me ta edhe Adriatik Lapajn e lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, i cili ndodhej në protestë i shoqëruar nga aktivistja Edlira Çepani dhe aktori i humorit Florian Binaj.
Kujtojmë këtu se padia e parë në Gjykatën Kushtetuese ku kërkohej rrëzimi i ligjit që parashikon tatimin e profesioneve të lira u depozitua në shkurt 2024 nga 37 deputetë opozitës. (A2 Televizion)