Protesta e opozitës, policia merr masa shtesë, FNSH dhe Shqiponjat blindojnë Bashkinë e Tiranës

Nga A2 CNN
26 Prill 2024, 11:16 | Aktualitet

Ka nisur para Bashkisë së Tiranës grumbullimi i protestuesve në tubimin e katërt që do të mbahet para institucionit të drejtuar nga Erion Veliaj, ku opozita do të kërkojë sërish dorëheqjen e tij nga detyra, pas skandalit të korrupsionit me dosjen “5D”.

Gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi, raporton se në protestën e thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do të marrin pjesë këshilltarë bashkiakë të opozitës, si dhe deputetë nga Rithemelimi e Partia e Lirisë.

Dera kryesore e Bashkisë së Tiranës është rrethuar me barriera hekuri dhe një kordon policie është stacionuar për të penguar protestuesit që të mësyjnë në ambientet e brendshme të këtij institucioni të qeverisjes vendore. Nga pamjet shihet se efektivët që formojnë kordonin, ndryshe nga tri protestat e mëparshme, këtë herë janë pajisur me maska kundërgazi.

Protesta e fundit ku flakadanë dhe molotovë u hodhën në drejtim të efektivëve, ka bërë që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë të marrë masa shtesë.

Gazetari i A2 CNN, Julian Kasapi, ka mësuar se rreth 250 efektivë të FNSH janë pozicionuar midis Ministrisë së Brendshme dhe të Infrastrukturës, fare pranë vendit ku do të zhvillohet protesta.

Kryesisht janë forcat e FNSH, të mbështetura dhe nga reparti Shqiponja që do të jenë në gatishmëri për çdo moment, kur mund të ketë tensione dhe përplasje, ndërsa nuk mungojnë as efektivët civilë, të cilët fillimisht janë vendosur në hyrje të godinës së bashkisë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos