Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka publikuar për herë të parë katalogun e pasurive të sekuestruara, një nismë e rëndësishme që synon të rrisë më tej transparencën dhe efektivitetin e administrimit të këtyre pasurive. Ky publikim pason katalogun e pasurive të konfiskuara, realizuar në shkurt të këtij viti dhe është pjesë e një procesi gjithëpërfshirës inventarizimi të ndërmarrë nga Agjencia.
Kjo nismë është ndërmarrë nën drejtimin e Kryeadministratores së AAPSK, znj. Risena Xhaja, e cila ka vënë theksin te rëndësia e një administrimi më të rregullt dhe më të transparent të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara. Për herë të parë në historinë e Agjencisë, të gjitha pasuritë që ndodhen nën administrimin e saj po regjistrohen dhe po bëhen publike përmes katalogëve zyrtarë, duke krijuar një standard të ri transparence dhe llogaridhënieje.
“Katalogët e pasurive të konfiskuara dhe të sekuestruara janë një hap konkret në drejtim të forcimit të besimit të publikut dhe institucioneve në procesin e administrimit të këtyre pasurive. Përmes kësaj nisme, ne po sigurojmë që çdo pasuri e administruar nga AAPSK të jetë e evidentuar qartë dhe e aksesueshme për publikun, duke garantuar një administrim sa më efikas dhe të drejtë,” – u shpreh znj. Xhaja.
Publikimi i katalogut të pasurive të sekuestruara është një hap domethënës jo vetëm për procesin e inventarizimit, por edhe për forcimin e transparencës në menaxhimin e pasurive nga ana e Agjencisë. Ky proces siguron jo vetëm një administrim më të mirë të këtyre aseteve, por edhe një angazhim më të fortë ndaj standardeve më të larta të menaxhimit publik. (A2 Televizion)