Meteorologia Tanja Porja tregoi se si do të jetë moti ditët në vijim.
“Sot diell dhe ngrohtë. Shtohen vranësirat në pjesën e dytë të ditës dhe akoma më shumë gjatë orëve të natës dhe ditën e nesërme. Gjatë ditës së mërkurë, por edhe të enjten, do të kemi prezencë të rrebesheve afatshkurtra në territor. Do t'i kemi kryesisht gjatë ditës së mërkurë në veri dhe në zonën qendrore. Më të pakta në zonat jugore. E njëjta situatë për ditën e enjte, kryesisht në veri, ndërsa ditën e premte, vetëm në orët e para të saj, momente të shkurtra kryesisht në orët e para të ditës, me rreshje krejt të pakta. E shtuna vjen pa rreshje. Ndërkohë, të dielën sërish në pjesën e dytë të së dielës presim vranësira dhe me rreshje, por këtë herë në zonat jugore dhe në qendër”, tha meteorologia Tanja Porja për “Dita Jonë”, në A2CNN.
“Përsa i përket vlerave termike, gjatë ditës së nesërme kemi një rritje të ndjeshme të vlerave termike. Në orët e para të ditës kemi një rritje me të paktën 3 gradë të vlerave minimale. Maksimumi nesër, me gjithë prezencën e vranësirave të rreshjeve do të jenë masa ajrore mjaft të ngrohta të cilat çojnë maksimumin në 27 gradë në rang territori, ndërsa të enjten një rritje të vlerave termike në mëngjes, por një rënie me rreth 2 gradë në orët e mesditës. Që nga mesdita e së premtes dhe në vijim, të shtunën dhe të dielën, do të kemi temperaturat tipike të vjeshtës. Pas të dielës, disa ditë të kthjellta dhe më pas sërish mot i paqëndrueshëm deri në fund të muajit tetor”, shtoi meteorologia Tanja Porja. (A2 Televizion)