Kryeministri Edi Rama ka publikuar disa pamje nga puna për ndërtimin e godinës së Teatrit Kombëtar në qendër të Tiranës, raporton A2 CNN.
“Kantieri i Teatrit të Ri Kombëtar, ku punohet çdo ditë për t’i dhënë jetë një godine që do të jetë një tjetër vepër arkitektonike mbresëlënëse e Tiranës dhe ikonë e artit dhe kulturës mu në zemër të kryeqytetit”, shkruan Rama në llogarinë e tij në Facebook.
Ndërtimi i një godine të re, në të njëjtin vend ku ishte e vjetra, u kundërshtua nga grupe artistësh dhe aktivistësh, si dhe nga opozita. Por në 17 maj 2020 godina e ndërtuar gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë nga Italia, u prish plotësisht, pasi më parë forcat e policisë kishin ndërhyrë për të larguar protestuesit që ndodheshin brenda saj. (A2 Televizion)