Meteorologia Tanja Porja në ‘Dita Jonë’ në A2 CNN ka zbuluar si do të jenë kushtet e motit gjatë ditës së sotme në Shqipëri dhe rajon.
Porja tha se dita e sotme pritet të rikthejë reshjet e shiut në disa zona të vendit, kryesisht në ato veriore dhe jugore, të cilat herë pas here do të kenë sipas saj, edhe formën e rrebesheve.
Ajo tha gjithashtu se do të ketë një rënie me rreth 3 gradë celcius të temperaturave në vend, ku ato maksimale pritet të zbresin në 15 gradë celcius.
Meteorologia shtoi se era do të jetë me shpejtësi mesatare gjatë ditës së sotme, me drejtim jugor dhe jug-perëndimor.
“Kemi prezencë të reshjeve të shiut. Presim një rënie me 3 gradë në orët e mesditës. Maksimumi do të zbresë në 15 gradë celcius. Presim rrebeshe afatshkurtra në skajet veri-jug. Gjatë pjesës së parë të ditës i kemi në skajin jugor, ndërsa ndaj pjesës së dytë të ditës në veri veri-perëndim, shumë më pak në zonat qëndrore.
Era do të fryjë me shpejtësi mesatare, drejtimi i së cilës do të jetë jugor dhe jug-perëndimor gjatë gjithë ditës së sotme. Reshje të pakta shiu kemi në skajin jugor, që do të bëhen më të dukshme gjatë paradites. Në zonat verilindore, në zonat e thella malore termometri ka zbritur në 0 dhe -1 gradë celcius. Ndërsa në zonat malore jugore situata pritet më e mirë. Pas mesditës dhe deri në mbrëmje, reshjet do të jenë vetëm në zona të izoluara”, tha Porja, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)