Shqipëria do të performojë sot në skenën e Eurovisionit. “Shkodra Elektronike” me Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca do të këndojnë shqip në Bazel të Zvicrës.
Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e sotëm në rrjtet sociale duke uruar përfaqësuesit shqiptarë në skenën europiane.
“Mirëmëngjes dhe duke i uruar suksese Shqipërisë sonte në Eurovision, me Beatriçen dhe Kolën nga Shkodra Elektronike, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
“Zjerm” fitoi mbështetjen e jurisë profesioniste, publikut vendas dhe diasporës për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion, në Festivalin e 63-të të Këngës në RTSH dhe vjen në arenën europiane si një gërshetim i traditës shqiptare me muzikën elektronike.
Shkodra Elektronike do të interpretojë e dymbëdhjeta në gjysmëfinalen e parë, që mbahet në Bazel të Zvicrës këtë 13 maj.
Në ceremoninë e hapjes grupi “Shkodra Elektronike” mahniti fansat e festivalit me një fustan të punuar me dorë nga nëna e saj, Irina Dema. Beatriçe solli në vëmendje trashëgiminë shqiptare përmes elementeve simbolikë që shoqëronin veshjen: nga motivet tradicionale, te një çantë e veçantë, një kuti bizhuterish që dikur i përkiste gjyshes së saj.
Tema e kostumografisë, e titulluar “Oda mikëpritëse e gjyshes”, përcolli një mesazh të fortë emocional dhe identiteti, që tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Edicioni i 69-të i garës së madhe muzikore europiane do të zhvillohet për tri ditë radhazi në Bazel të Zvicrës, duke nisur nga 13 maji, ndërsa finalja e madhe do të mbahet të shtunën, më 17 maj. (A2 Televizion)