Shiu dhe breshëri i rënë gjatë natës ndihmoi në shuarjen e zjarrit të përmasave të mëdha që shpërtheu në fushën e Dukatit, duke rrezikuar dhe një banesë.
Por ajo nuk ishte e vetmja vatër zjarri çfarë e bën qeverinë të dyshojë se kemi të bëjmë me grup të strukturuar për zjarrvënie të qëllimshme. Një kodër pranë fshatit Drashovicë të Bashkisë Selenicë u përfshi nga flakët gjithashtu.
Era e fortë në terren të vështirë ndihmoi në përhapjen e shpejtë të tyre. Policia e Vlorës arrestoi një person në lidhje me vatrën e zjarrit që u regjistrua mbrëmë në zonën e Drashovicës në Selenicë.
Nga hetimet rezultoi se 43-vjeçari me inicialet E. B në “Fshati e Vjetër” e ndezi zjarrin në mënyrë të qëllimshme, pas një konflikti me bashkëfshatarin e tij, shtetasin me inicialet F. N.
Si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke e mbjellë me ullinj dhe janë rrezikuar të digjen bagëtitë e imta të këtij të fundit. (A2 Televizion)