Në një njoftim sensibilizues për përdoruesit e rrugës, policia e shtetit ka ndarë imazhet e radarit në aksin Peqin-Elbasan që tregojnë shpejtësinë tej normave të lejuara.
“Shpejtësia vret jetën!”, shkruhet në mesazhin e Rrugores, ndërsa në foto bie në sy se në dy raste janë regjistruar shpejtësi 198 km/h deri në 202 km/h në aksin rrugor Peqin -Elbasan, ku shpejtësia e lejuar është 80 km/h, ndërkohë që trafiku aty është ende shumë i lartë.
Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore ka ndaluar dy drejtuesit e mjeteve dhe i ka ndëshkuar me masa maksimale dhe zbritje deri në 8 pikë nga Leja e Drejtimit.
Në vijim, policia apelon dhe njëherë për të gjithë drejtuesit e mjeteve, për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor.
Po ashtu bëhet me dije se të gjitha akset rrugore nacionale dhe qendrat urbane, monitorohen me mjete inteligjente nga Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore dhe Policia Rrugore vendore në çdo qark.
“Stop shpejtësisë fluturuese para se aksidenti t’ju ndalojë juve. Kujtoni gjithmonë: Qarkullojmë më ngadalë për të jetuar më gjatë. Drejto automjetin duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor – familja po të pret në shtëpi”, nënvizohet në mesazh. (A2 Televizion)