Protestat që kanë përfshirë prej më shumë se dy javësh kryeqytetin duket se janë shfrytëzuar maksimalisht nga hotelet kryesore përgjatë bregdetit të Durrësit, të cilat jo vetëm që nuk kanë pasur tkurrje të vizitorëve, por kanë përjetuar rritje të paparashikuar të turistëve.
“Muaj tetor ka qenë përtej pritshmërive, ka pasur rritje me 10-15% të rezervimeve”, thotë për A2 CNN Blerim Norja, administrator resorti në Durrës. “Turistët që kanë rezervuar në Durrës nuk kanë pasur anulime, pasi e kanë parë Durrësin si qytet të qetë dhe jashtë rrëmujave, por kanë evituar turet për të vizituar Tiranën. Shumë rezervime për hotelet e Tiranës kanë rezervuar në Durrës”.
Madje, që tani, hotelet dhe resortet kryesore në Durrës duken të prenotuara edhe për sezonin e ardhshëm. “Tashmë Durrësi është futur në destinacionet kryesore turistike në Europë dhe mund të themi që kontratat për vitin 2027 i kanë nënshkruar të gjitha hotelet e Durrësit”, tregon Ndoja.
Fluksi turistik në hotelet e Durrësit po konfirmon se tashmë sezoni në këtë bregdet nuk është më tre apo katër muaj, por minimalisht gjashtëmujor, me tendencë zgjatjeje të mëtejshme. (A2 Televizion)