Elbasani mposhti me shifrat 2-1 Partizanin, në një ndeshje me shumë polemika. Shkak u bë goli i akorduar në favor të verdhebluve Partizani kishte kaluar i pari në avantazh, por një gol me devijim i Mazarit dhe në fund rasti i diskutueshëm i Nikajt, sollën suksesin për Elbasanin. Kjo ishte humbja e tretë radhazi e Mislav Karoglan në bankinën e “Të kuqve”.
Momenti më emocionues ishte kur tifozët verdheblu hapën një banderolë për tifozin Erion Vishkulli që mbeti i lënduar nga protesta e 24 tetor në Tiranë.
Në ndeshjet e tjera të ditës së sotme në Kategorinë Superiore, Vora befasoi Vllazninë 2-1. Vendasit shënuan me Kasharin dhe Dakën, ndërsa goli i Bekim Balaj në fund nga 11-metërshi ishte i pamjaftueshëm.
Ndërkaq Skënderbeu dhe Laçi nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1. Pas 9 ndeshjesh, Partizani dhe Vllaznia mbeten në një krizë totale dhe mbyllin klasifikimin e Superligës. Kuqeblutë janë në vendin e parafundit me 8 pikë pas 9 javësh ndërsa Partizani i fundit me vetëm 4 pikë. (A2 Televizion)