
Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi është takuar në Zagreb me homologun kroat Ivan Anušić, ku u diskutua bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe industrisë ushtarake. Në një postim në rrjetet sociale, ministri bën të ditur se në fokus ishte edhe deklarata trepalëshe mes Shqipëria, Kosova dhe Kroacia, e cila synon forcimin e koordinimit strategjik dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në sektorin e mbrojtjes.
Gjatë bisedimeve, dy ministrat diskutuan për çështje që lidhen me paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore, duke theksuar rëndësinë e rritjes së kapaciteteve ushtarake dhe zhvillimit të industrisë së mbrojtjes.
“Deklarata trepalëshe mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë synon të nxisë jo vetëm koordinimin strategjik, por edhe zhvillimin ekonomik, me theks të veçantë te industria e mbrojtjes.
Në këtë frymë, paqja mbetet themeli i çdo angazhimi. Shqipëria luan dhe do të vijojë të luajë një rol aktiv në ruajtjen e stabilitetit rajonal, duke forcuar marrëdhëniet me aleatët dhe duke thelluar koordinimin me Brukseli, në funksion të një rajoni më të sigurt dhe një të ardhmeje të përbashkët euro-atlantike”, shkruan ministri.
Nga ana tjetër, ministri kroat Anušić vlerësoi kontributin e Shqipërisë dhe progresin e saj në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. (A2 Televizion)