Ndarja dhe administrimi i plazheve përgjatë vijës bregdetare vit pas viti ka nxjerrë në pah problematika nga më të ndryshmet për sipërfaqet që shfrytëzohen nga subjekte private dhe bashkitë e deri tek pastërtia veçanërisht e plazheve të caktuara si publike, raporton A2CNN.
Këtë sezon veror ndryshimet e qeverisë sa i takon administrimit të plazheve parashikojnë edhe një mënyrë ndryshe të pastrimit të tyre, tashmë me shërbim 24 orë.
Drejtori i agjencisë rajonale të bregdetit në Durrës që është struktura përgjegjëse që do të verifikojë në terren kushtet dhe rregullat e administrimit të plazheve, shpjegon skemën e re të pastrimit.
Sipas udhëzimeve të reja të qeverisë, është forcuar roli i institucioneve përgjegjëse në terren për monitorimin e zbatimit të rregullave, me fokus të veçantë tek kontrolli i zhurmave dhe organizimi i hapësirave detare për mjetet lundruese.
Sa i përket ndarjes së vijës bregdetare, rregullorja përcakton që në çdo 1000 metra plazh, 300 metra do të jenë të dedikuara për publikun, ndërsa pjesa tjetër mund të menaxhohet nga subjektet private. (A2 Televizion)