
Përplasjet politike në SHBA janë përshkallëzuar, pasi demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë nisur një nismë për shkarkimin nga detyra të Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Sipas Axios, ata pritet të paraqesin pesë nene akuze, ku Hegseth akuzohet për abuzim me pushtetin, krime lufte dhe shkelje të tjera serioze. Nisma, megjithatë, shihet si më shumë simbolike, pasi në përbërjen aktuale të Kongresit nuk ka gjasa të marrë mbështetjen e nevojshme për t’u miratuar.
Rezoluta prej shtatë faqesh fokusohet kryesisht te operacionet ushtarake amerikane në Iran, një skandal i njohur si “Signalgate”, si dhe te sjellja personale e dyshuar e zyrtarit të lartë të mbrojtjes.
Kjo lëvizje sinjalizon se demokratët e kanë kthyer Hegseth në një nga objektivat kryesorë të kritikave ndaj administratës së Donald Trump.
Më herët, ata kanë kërkuar edhe shkarkimin e Kristi Noem dhe Pam Bondi, të cilët më pas u larguan nga detyra nga presidenti Trump.
Nga ana tjetër, Pentagoni i ka cilësuar akuzat si të motivuara politikisht. Zëdhënësja Kingsley Wilson deklaroi se bëhet fjalë për një përpjekje për të tërhequr vëmendjen, duke theksuar se Departamenti i Mbrojtjes ka përmbushur me vendosmëri objektivat e vendosura nga presidenti në Iran. (A2 Televizion)