Mjeku i njohur, Gentian Toshkëzi është emëruar konsull nderi i Shqipërisë në Filadelfian e SHBA-ve. Titulli i nderit iu akordua nga ambasadori ynë në SHBA, Ervin Bushati, i cili vlerësoi rolin e Dr. Toshkëzit, si përfaqësues i denjë i interesave të Shqipërisë në shtetin e Pensilvanias, ku jetojnë mijëra shqiptarë, shkruan A2 CNN.
Përpos procedurave protokollare të dhënies së titullit konsull nderi, Dr.Toshkëzi organizoi një mbrëmje private në ambientet e banesës së tij, me rrethin e ngushtë të miqve, për të festuar këtë emërim dhe për t’u angazhuar se zëri i shqiptarëve të Filadelfias dhe zonave përreth tashmë do të përfaqësohet denjësisht nga ai.
Këngëtarja Mira Konçi solli për të pranishmit shqiptarë e të huaj, një repertor me këngë të njohura e të dashura, duke sjellë emocione dhe mall. Në fjalët e tyre, kolegët konsuj të disa shteteve, shprehën vlerësim për punën e palodhur të Gentian Toshkëzit, ndërsa përfaqësues të shoqatës “Bijtë e shqipes”, e cila prej dekadash përhap në Filadelfia kulturën, gjuhën e traditat tona, thanë se tashmë emërimi i mjekut si konsull nderi, është një vlerë e shtuar për komunitetin tonë.
Ambasada shqiptare e zgjodhi jo rastësisht Toshkëzin për të mbajtur rrugët e komunikimit të ndërsjellë dhe kjo ishte më e pakta që vendi amë mund të bënte për një mjek që Amerika e ruan fort si një aset të pazëvendësueshëm. Ndër titujt që Toshkëzit i njihen në SHBA janë ato të një prej neurokirurgëve më të mirë në Pensilvani dhe në krejt Amerikën, ku operacionet e tij janë vlerësuar prej kolegëve në mbarë botën. (A2 Televizion)