Një tjetër protagonist i tranzicionit demokratik shqiptar nuk jeton më. Servet Pëllumbi është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një rol kyç në momentet më të rëndësishme të fillimit të demokracisë, ku vendimet e tij u kthyen në pikë referimi për rrugëtimin politik dhe institucional të vendit, shkruan A2CNN.
Një tjetër protagonist i tranzicionit demokrat shqiptarë nuk jeton më. Servet Pëllumbi është ndarë nga jeta në moshën 89 vjeçare. Një nga figurat që shënjuan hapat e parë të demokracisë shqiptare, ku në çaste kritike, mori vendime të cilat ishin themelore për fatet e vendit.
Profesor i filozofisë dhe politikan i së majtës, ai u identifikua për dekada me përpjekjet për të ndërtuar një kulturë demokratike dhe institucione funksionale, në një vend që kalonte nga izolimi drejt pluralizmit. Me ndryshimet politike të viteve ’90, ai u bë pjesë e jetës aktive politike, duke kontribuar në transformimin e së majtës shqiptare dhe në profilizimin e Partia Socialiste e Shqipërisë drejtë një partie europiane.
Diviza e kryetarit të Kuvendit ishte statura më e lartë institucionale që Servet Pëllumbi mbajti në vitet 2002-2005, por spaleta më e lartë politike ishte ajo e nënkryetarit të Partisë Socialiste në vitet 1992 deri në vitin 1996, e ku pas vitit 1993, kohë në të cilën Fatos Nano u arrestua pati barrën e rëndë të drejtonte de facto Partinë Socialiste në një periudhë të vështirë të tranzicionit dhe reformimit të saj, deri në vitin 1996.
Pas zgjedhjeve të kontestuara 26 majit, emblematike ishte foto e tij që bëri xhiron ë botës me fotoreporterin e përgjakur spanjoll në protestën e dy ditëve më pas, në 28 maj, në sheshin Skënderbej. Dy muaj më pas do të largohej nga drejtimi i PS-së, pas mocionit të famshëm të Fatos Nanos nga burgu, por jo nga politika ku do të shërbente në mënyrë aktive deri në vitin 2005.
Me ndarjen nga jeta të Servet Pëllumbi, Shqipëria humb një prej zërave që për dekada u përpoqën t’i japin politikës një dimension tjetër– atë të mendimit, dialogut dhe përgjegjësisë publike, në një rrugëtim ende të hapur drejt konsolidimit demokratik. Mendime të cilat sot e kësaj dite duket më aktuale se kurrë. (A2 Televizion)