Shumë zhurmë, pak punë. Vetëm një në dhjetë projekte ushtarake të planifikuara u realizua deri në prill

Nga Marjo Brakaj
27 Gusht 2024, 14:41 | Aktualitet

Vetëm një në dhjetë projekte të planifikuara për t’u zhvilluar në harkun e muajve janar-prill, në drejtim të rijetësimit të ushtrisë, u realizua. Nga më shumë se 18,5 miliardë lekë të planifikuara, në 4-mujorin e parë të vitit Ministria e Mbrojtjes arriti të shpenzonte më pak se 2,6 miliardë lekë.

Në drejtim të shpenzimeve kapitale, atyre kryesisht për investime, u realizuan vetëm 1% e shpenzimeve për kujdesin shëndetësor të personelit ushtarak, ndërsa për emergjencat civile u përdorën vetëm 0,2% e parave në dispozicion, raporton A2 CNN.

“Nga të dhënat e mësipërme financiare, vërejmë që për periudhën, për shpenzimet kapitale të Ministrisë së Mbrojtjes, realizimi është rreth 11%. Realizimi nën trendin normal të periudhës në shpenzime kapitale vjen pasi fondet për këto shpenzime nuk janë kontraktuar”, thotë Ministria e Mbrojtjes.

Në një masë më të konsiderueshme janë realizuar shpenzimet operative, ku përfshihen pagat dhe sigurimet shoqërore të personelit ushtarak. Nga gati 23,5 miliardë lekë të planifikuara, në 4-mujorin e parë të vitit Ministria e Mbrojtjes arriti të shpenzonte më pak se 6.8 miliardë lekë.

“Vërejmë që për periudhën, shpenzimet korrente të Ministrisë së Mbrojtjes janë realizuar në rreth 29%. Mosrealizimi në shpenzime korrente vjen nga mosplotësimi i strukturave organike të disa njësive shpenzuese, si dhe procedurat e prokurimit për mallra dhe shërbime janë në proces dhe priten të realizohen”, shpjegon Ministria e Mbrojtjes.

Investimet e parealizuara përfshijnë ato të programuara për rindërtimin e bazës ushtarake në zonën e Bizës në Tiranë, atë detare të Pashalimanit, Regjimentin e Helikopterëve në Farkë dhe Repartin Ushtarak 1001./ A2 Televizion (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos