Siguria në shkolla, Hoxha: Të parandalohen në kohë ngjarje të pakëndshme

Nga Xhensila Kodra
12 Mars 2025, 15:16 | Aktualitet

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha kërkoi që oficerët e sigurisë në shkolla të jenë më të vëmendshëm për të reaguar në çdo situatë incidenti mes nxënësve, në mënyrë që ngjarje të rënda të parandalohen.

“Ajo që na duhet në vijim është konsolidimi i rezultateve, thellimi i bashkëpunimit nxënës, prindër, mësues, staf akademik dhe agjenci ligjzbatuese, ku programi do të luajë një rol mbështetës padyshim. Oficerët e Sigurisë janë aty, e duhet të jenë të vëmendshëm për çdo informacion apo incident, duke parandaluar në kohë ngjarje të pakëndshme”, tha ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.

Këtë deklaratë, ministri e bëri teksa u nënshkrua marrëveshja për fazën e tretë të programit “Forcimi i Policimit në Komunitetit”, i cili mbështetet nga qeveria e Suedisë. I pranishëm ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Kryepolici e vuri theksin tek besimi i qytetarëve te policia.

“Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike janë një tjetër qasje pozitive për zgjidhjen efikase të problemeve dhe shqetësimeve të adresuara nga qytetarët. Të gjitha këto iniciativa kanë në thelb rritjen e besimit të qytetarëve te Policia, pasi besimi është vlera që qëndron në themel te marrëdhënies sonë”, tha Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Proda tha se sot Policia e Shtetit është agjencia ligjzbatuese më e besueshme nga qytetarët, dhe se ky institucion ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me shkollat, pushtetin vendor, grupet vullnetare për të adresuar çështjet e komunitetit për zgjidhje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos