Komisionerja për Zgjerimin në BE, Marta Kos do të ndalet për një vizitë dyditore në Shqipëri, duke nisur nga nesër. Në të parën vizitë të saj në Tiranë, që ishte paralajmëruar që në muajin janar, Kos do të zhvillojë disa takime të nivelit të lartë.
Fillimisht ajo do të ndalet në Presidencë, ku do të zhvillojë një takim me Kreun e Shtetit Bajram Begaj dhe po në të njëjtën ditë do të ketë një konferencë për mediat me kryeministrin Edi Rama, shkruan A2.
Pas një konference me temë zgjerimin e Bashkimit Europian që do të zhvillohet në Kolegjin e Europës, Marta Kos do të takojë kryeparlamentaren Elisa Spiropali dhe nënkryetarin e Kuvendit Agron Gjekmarkaj, së bashku me kryetaren e Këshillit të Integrimit Jorida Tabaku si dhe kreun e grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, raporton A2.
Kujtojmë se Marta Kos në konferencën e Mynihut që u zhvillua në 16 shkurt të këtij viti, ku në panel ndodhej edhe kryeministri Edi Rama, deklaroi se Shqipëria i ka të gjithë kapacitetet që të përmbyllë procesin e shqyrtimit të grupkapitujve të integrimit deri në vitin 2027. (A2 Televizion)