Situata me zjarret paraqitet kritike në disa fshatra në afërsi të Tiranës, konkretisht në Daias, Gurrë të Vogël dhe Priskë. Flakët kanë përparuar ndjeshëm dhe janë afruar pranë banesave, ndërsa ka nisur edhe evakuimi i banorëve.
Përhapja e zjarrit është favorizuar nga era, ndërkohë që terreni i vështirë dhe errësira po e komplikojnë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.
“Forca të shumta zjarrfikëse kanë shkuar në fshatin Daias për të ndërhyrë. Ka nisur evakuimi i banorëve në fshatin Daias dhe Gurrë të Vogël. Zjarri ka depërtuar duke u afruar fare pranë banesave. Të gjitha emergjencat civile të Tiranës dhe strukturat, së bashku me shërbimin zjarrfikës dhe policinë, ndodhen pranë vendit të ngjarjes, në fshatin Daias, duke depërtuar në fshatin Gurrë të Vogël”, raporton për A2CNN gazetari Igli Çelmeta.
Raportohet gjithashtu se një pjesë e banorëve po kundërshtojnë urdhrin për t’u evakuuar, pavarësisht situatës së rënduar dhe rrezikut që paraqesin flakët.
Në të gjithë vendin janë aktive 10 vatra zjarri, ndërsa për shuarjen e tyre janë angazhuar 450 forca operacionale, 2 avionë “Air Tractor” dhe 3 helikopterë. (A2 Televizion)