
Kreu i emergjencave Haki Çako nga Levani ka pohuar se situata e zjarrit vijon të mbetet problematike.
Në një deklaratë për mediat ai tha se deri tani është punuar me dy helikopterë dhe një avion Air Tractor jo vetëm në Levan, por edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë.
“Ka disa orë që Fieri dhe kodrinat janë përfshirë nga zjarri masiv që ka ardhur nga fshati Drizë dhe shpejtësinë e erës ka përshkruar masiv pylli dhe pemëtari me ullishte. Po operohet me të gjitha forcat nga toka dhe nga ajri me dy helikopterë. Evakuime ka patur nga bizneset jo nga banesat. Vetëm një banesë e braktisur ka qenë e përshkruar nga flakët. Zjarri është ndezur nga dora e njeriut. Gjatë natës do të operohet me forcat nga toka”, tha Çako.
Çako shprehet se e rëndësishme është shpëtimi i jetës së njerëzve, ndërsa ka kërkuar nga organet kompetente që të japin dënimin maksimal për zjarrvëniet e qëllimshme.
“Për shkak të papërgjegjshmërisë së shumë fermerëve që asgjësojnë mbeturina, zjarret marrin përmasa edhe për shkak të erës. Hetimi identifikimi dhe vënia para përgjegjësisë është detyrë e policisë të cilat duhet të jenë drastike ndaj autorëve të zjarrvënies”.
(A2 Televizion)