Kompania Kurum ka reaguar pas lajmeve për largimin nga puna të rreth 500 punëtorëve, duke bërë të ditur se nuk ka largim masiv nga puna, por theksohet se “është e vërtetë që fabrikat e prodhimit të çelikut dhe petëzimit në ish-kombinatin metalurgjik Elbasan, kanë ndërprerë prodhimin që prej datës 1 gusht dhe 15 gusht respektivisht, por ky fakt nuk ka asnjë lidhje me njoftimet për eksportin e sasive të pretenduara si mbetje të rrezikshme” ,shkruan A2 CNN.
Ndërkohë, një grup prokurorësh dhe oficerë të Krimit Ekonomik kanë zbarkuar në zyrat e kompanisë turke “Kurum International” në Elbasan, 1 javë pasi aktiviteti i tyre prodhues u ndërpre. A2 CNN mëson se janë bllokuar deri më tani dokumentacioni dhe arkivat e “Kurum”, ndërsa kompania po monitorohet edhe nga Inspektoratit Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH), shkruan A2 CNN.
“Shoqëria Kurum International, në lidhje me lajmet për mbylljen e fabrikave dhe largimin nga puna të punëtorëve të saj, ju bën me dije si më poshtë:
Shoqëria Kurum International, deri më datën 26.08.2024, nuk ka bërë asnjë largim kolektiv nga puna të punonjësve të saj. Është e vërtetë që fabrikat e prodhimit të çelikut dhe petëzimit në ish-kombinatin metalurgjik Elbasan, kanë ndërprerë prodhimin që prej datës 1 gusht dhe 15 gusht respektivisht, por ky fakt nuk ka asnjë lidhje me njoftimet në media për eksportin e sasive të pretenduara si mbetje të rrezikshme nga një kompani shqiptare, dhe as me sulmet mediatike ndaj shoqërisë sonë, si dhe fushatën denigruese të bërë në media deri më tani.
Shoqëria, duke parashikuar një përkeqësim të situatës ekonomike gjatë muajve në vijim, ka vendosur në fillim të muajit gusht, të fillojë negociatat me sindikatën dhe procedurë ligjore për një numër të caktuar punonjësish, duke u ofruar atyre alternativën e largimit nga puna pas 3 muajve kundrejt shlyerjes së të gjitha detyrimeve dhe pagesës së shpërblimit të vjetërsisë në punë sipas ligjit, me opsionin, gjithmonë, të rikthimit në rastin më të parë të rifillimit të punës në fabrika.
Kjo masë paraprake nuk cenon të drejtat e punëtorëve, të cilët po paguhen edhe pse nuk paraqiten në punë, sigurimet shoqërore dhe detyrimet e tjera ligjore janë paguar dhe do të paguhen sipas ligjeve në fuqi. Shoqëria është në negociim me sindikatën e punonjësve për të arritur një marrëveshje sa më të mirë për të gjitha palët.
Të gjitha aludimet e tjera, për mendimin tonë, nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta.
Ndërkohë, shoqëria po bën remontet e duhura me punëtorët që janë aktualisht dhe mbeten në punë, për të përfunduar investimet e nisura për modernizimin e mëtejshëm të linjave të prodhimit, për të qenë sa më konkurrues dhe eficentë në tregun rajonal, dhe shpreson të rifillojë procesin e prodhimit në një kohë sa më të afërt.
Shoqëria jonë, është e fokusuar në misionin e saj për të sjellë vlerë të shtuar në ekonominë shqiptare prej më shumë se 25 vitesh, duke prodhuar dhe tregtuar pavarësisht vështirësive të panumërta të industrisë dhe tregut shqiptar, çelikun shqiptar, markën Kurum, për atë që me mund e sakrificat e më shume se 700 punëtorëve kemi arritur te jemi lider ne vend dhe ne rajon, duke qene prodhuesi me i madh industrial ne vend, si dhe prej vitesh eksportuesi me i madh ne vend”, thuhet në reagimin e Kurum/ A2 CNN. (A2 Televizion)