Mes natyrës së bukur, monumenteve të kulturës, valleve, këngëve, ushqimeve tradicionale, për të 5-tin vit radhazi Mokra n'Fest, mblodhi bashkë mokrarët dhe jo vetëm.
Aktiviteti promovues që ka udhëtuar në fshatra të ndryshëm të krahinës së njohur këtë vit ndalesën e pati në fshatin Potkozhan, fshat i cili sipas historianit Ledjan Zeqollari ka nxjerrë figura të shquara dhe ka pjesë të tij asete mjaft të veçanta kulturore e historike.
"Ekspozita i kushtohet fshatit Potkozhan, i cili është një fshat me mjaft tradita përsa i përket kulturës por edhe historisë. Fshat qe ka figura të rëndësishme si At Jovan Vako që ka hapur shkollën e parë shqipe në këtë fshat, Stefan Geg Prifti apo vëllezërit Zeografi janë me origjinë nga ky fshat. Është një përmbledhje e gjithë vlerave etno kulturore e Potkozhanit", tha Zeqollari.
Një nga figurë historike e këtij fshati është Maro Mokra, siç njihet nga banorët e zonës," Gruaja e Hekurt e Mokrës". E mbesa e saj tregon dashurinë që luftëtarja kishte për zonën e Mokrës.
"Ka qenë grua heroike, patriotike, vend e kuvend. Ajo vërtet ka qenë fisnike, trimereshe. Maro Mokra njihet se ka mbështetur luftën nacional çlirimtare, heroizmin e tyre e kanë shërbyer në të mirën e fshatit. Nga shtëpia e Maro Mokrës, sollën ujin, bënë centralin, elektrifikikimi i vendit, nga ajo dritare e Maro Mokrës", tregon Marjeta Silo.
Potkozhani cilësohet si një nga zonat e cila gatuan mjaft kulaç dhe lakror mjaft të veçantë, por edhe prodhimet e tjera të fshatit
" Lakrori në Çerep njihet në Potkozhan, i bëjmë sipas dëshirës së njerëzve, kulaçin, bëjmë komposto, turshi, piperka me gjize, kemi komposto kumbulla, pjeshke, qershie. Gjithë llojet”.
Festa ka për qëllim që edhe turistët e huaj ta njohin Mokrën dhe vlerat e saj, e të tillë nuk munguan.
"Unë vij nga Amerika. Unë e dua Pogradecin dhe këtë zonë. Me pëlqen shumë mikpritja, vallet, dola të ble disa gjëra. Nuk kam qenë kurrë më parë këtu por do vij përsëri. Është shumë bukur".
Mokra n'Fest u zhvillua për dy ditë me radhë ku pati pjesë të vetën edhe kampingun, ecjen dhe fjetjen në natyrë. (A2 Televizion)