Zjarri i rënë pasditen e djeshme në pallatin pranë farmacisë nr.10 në Tiranë ka lënë pas dëme të mëdha materiale dhe familje të tëra në gjendje shoku. Gazetarja Adelina Onuzi ishte sot në vendngjarje, nga ku raportoi për emisionin “Dita Jonë” në A2CNN mbi situatën e vështirë që po përjetojnë banorët e prekur.
Sipas saj, pamjet në terren flasin për një fatkeqësi të madhe, ku shtëpitë, investimi i një jete, janë shkatërruar brenda pak minutash. “Është një gjendje shumë e rëndë dhe e dhimbshme. Banorët janë të rrënuar dhe ende të frikësuar nga ajo që ndodhi. Për fat të mirë nuk ka pasur viktima, por dëmet materiale janë të konsiderueshme”, u shpreh gazetarja.
Banorët tregojnë se zjarri i ka zënë të papërgatitur, pavarësisht se në zonë ka pasur edhe më herët incidente të ngjashme. Ata thonë se prej kohësh kishin kërkuar marrjen e masave për rritjen e sigurisë, por pa rezultat.
Në përpjekje për të shpëtuar situatën, një familjar i njërit prej banorëve ka tentuar të ndërhyjë dhe të hapë një dalje emergjence, ndërsa të tjerë janë përpjekur të shpëtojnë sendet e tyre më të vlefshme, por pa sukses.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tyre lidhet me mungesën e sigurimit të pronës. Banorët pretendojnë se kishin paguar një shumë të konsiderueshme ndaj pronarit për sigurimin e godinës, por rezulton se banesat nuk ishin të mbuluara nga siguracioni.
Gazetarja e përshkruan situatën si një “gjendje paslufte”, ndërsa banorët shprehen jashtë kamerës: “Na është djegur jeta”. (A2 Televizion)