Sot afati i fundit për lirimin e hapësirave pranë akseve kombëtare, Balluku: Reformë e thellë në territor

Nga A2 CNN
31 Korrik 2025, 11:13 | Aktualitet

Sot afati i fundit për lirimin e hapësirave pranë akseve

Kjo e enjte shënon afatin përfundimtar për të gjitha subjektet tregtare të vendosura pranë akseve rrugore kombëtare që të zhvendosen vullnetarisht nga hapësirat që kanë zaptuar dhe që përbëjnë rrezik për sigurinë rrugore.

Pas këtij afati, institucionet përkatëse do të ndërmarrin masa ndëshkuese ndaj çdo subjekti që refuzon të zbatojë vendimin dhe të lirojë zonat më pak se 20 metra nga aksi rrugor.

Zv/kryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka theksuar se siguria rrugore është prioritet absolut për qeverinë shqiptare.

“Subjektet tregtare duhet të lirojnë menjëherë sipërfaqet pranë akseve kombëtare, të cilat janë kthyer në burim rreziku për përdoruesit e rrugëve”, u shpreh Balluku.

Ajo e cilësoi këtë ndërhyrje si një reformë të thellë në funksion të ligjshmërisë dhe rivendosjes së kontrollit mbi territorin e Republikës së Shqipërisë. Sipas saj, aksioni është shtrirë në të gjithë vendin, që nga tendat e vendosura në zona të banuara e deri te parkingjet e paligjshme që kanë uzurpuar hapësira të përbashkëta apo zona rrugore të rëndësishme nga veriu në jug.

“Kjo reformë do të çojë deri në fund çlirimin e çdo centimetri hapësirë të zaptuar në mënyrë të paligjshme”, deklaroi zv/kryeministrja.

Balluku shtoi se strukturat shtetërore janë në terren për të ndjekur nga afër procesin dhe bëri thirrje për bashkëpunim nga qytetarët.

“Shumë nga informacionet tona vijnë pikërisht nga denoncimet e qytetarëve, të cilat në shumicën e rasteve rezultojnë të sakta dhe ndihmojnë në ndërhyrje të shpejta”, tha ajo.

Ministrja i ftoi të gjithë qytetarët të vazhdojnë të raportojnë rastet e shkeljes së hapësirave publike apo të sigurisë rrugore, ndërsa nënvizoi se qeveria shqiptare është më e angazhuar se kurrë për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të rregullt për të gjithë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos