Qyteti fantazmë që ka mbetur i braktisur për më shumë se një shekull

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2026, 14:15 | Lifestyle

Qyteti fantazmë që ka mbetur i braktisur për më shumë

Në këtë qytet ka një shkollë të madhe dhe mjaft imponuese. Ka rrugica të ngushta, të rrethuara nga shtëpi që ngjiten në të dyja anët e një lugine të pjerrët. Në qendër të qytetit ndodhet një shatërvan i lashtë. Ka edhe kisha, njëra prej të cilave ofron pamje spektakolare nga kodra, mbi ujërat blu të Egjeut.

Por, për pjesën më të madhe të 100 viteve të fundit, këtu nuk ka pasur njerëz.

Kayaköy, në provincën Muğla, në jugperëndim të Turqisë, është një qytet i vërtetë fantazmë. I braktisur nga banorët dhe i përndjekur nga e kaluara. Një monument i ngrirë në kohë, që shërben si kujtesë fizike e periudhave të errëta të historisë së Turqisë.

Me kodrat e mbushura me ndërtesa të rrënuara, që dalëngadalë po përthithen nga bimësia, dhe me pamje që të çojnë drejt jetëve të zhdukura, Kayaköy është gjithashtu një vend magjepsës dhe i bukur në mënyrë të zymtë për t'u vizituar, shkruan A2 CNN.

Në verë, nën qiellin e kthjellët dhe diellin përvëlues, atmosfera është mjaft e frikshme. Aq më shumë në stinët e freskëta, kur mjegulla e maleve apo e detit mbështillet rreth tij.

Pak më shumë se një shekull më parë, Kayaköy, ose Levissi, siç njihej atëherë, ishte një qytet i gjallë me të paktën 10 mijë grekë, të krishterë ortodoksë. Shumë prej tyre ishin artizanë që jetonin në paqe së bashku me fermerët turq, myslimanë, të zonës.

Por, në trazirat që shoqëruan krijimin e Turqisë si republikë e pavarur, jetët e tyre të thjeshta u shkatërruan.

Tensionet me Greqinë fqinje, pas përfundimit të luftës greko-turke në vitin 1922, çuan në dëbimin nga të dyja vendet të njerëzve që kishin lidhje me shtetin tjetër.

Për Kayaköy, kjo nënkuptonte një shkëmbim të detyruar të popullsisë me turqit myslimanë që jetonin në Kavala, në atë që sot është rajoni grek i Maqedonisë dhe Trakës.

Por, sipas dëshmive, banorët e rinj myslimanë nuk u përshtatën me shtëpitë e tyre të reja. Ata u larguan shpejt, duke e lënë Kayaköy të braktisej dhe të kthehej në rrënoja.

Trishtimi që mbetet

Mes të paktëve që qëndruan në qytet ishin gjyshërit e Aysun Ekiz. Sot, familja e saj drejton një restorant të vogël pranë hyrjes kryesore të Kayaköy, ku turistët që vijnë për të eksploruar qytetin mund të ndalojnë për të konsumuar diçka.

Historitë e atyre viteve të vështira janë përcjellë brez pas brezi. “Gjyshërit më tregonin se njerëzit grekë qanin, sepse nuk donin të largoheshin”, thotë Ekiz, e cila sot u shet vizitorëve bizhuteri të punuara me dorë. “Disa madje i lanë fëmijët e tyre nën kujdesin e miqve turq, sepse mendonin se do të ktheheshin. Por nuk u kthyen kurrë”.

Qyteti fantazmë që ka mbetur i braktisur për më shumë

Ekiz tregon se familja e gjyshërve të saj merrej me blegtori dhe u përshtat lehtësisht me jetën në periferi të qytetit.

Shumica e të ardhurve të tjerë, sipas saj, nuk e pëlqenin Kayaköy, sepse muret e shtëpive ishin të lyera me ngjyrë blu. Thuhet se kjo ngjyrë përdorej për të larguar akrepat dhe gjarpërinjtë.

Gjurmë të kësaj ngjyre mund të shihen ende në muret e mbijetuara të rreth 2.500 shtëpive që përbëjnë Kayaköy, megjithëse pak nga elementet e tjera dekorative kanë mbetur pas dekadash të ekspozuara ndaj kushteve atmosferike.

Ajo që ka mbijetuar ia vlen ende të eksplorohet, si një pasqyrë e një mënyre të lashtë jetese, në prag të epokës moderne.

Jane Akatay, bashkautore e librit “A Guide to Kayaköy”, thotë se një nga arsyet e braktisjes së qytetit mund të ketë qenë trishtimi i thellë që vazhdon të ndihet në këtë vend, pas ngjarjeve tragjike të viteve 1920.

Edhe natyra ka luajtur rolin e saj në shkatërrimin e ndërtesave.

Tërmetet dhe stuhitë

“Ka pasur tërmete, ka pasur stuhi. Klima, moti, shirat e rrëmbyeshëm... gjithçka ka ndikuar në këtë vend interesant”, thotë Akatay. “Gjithashtu, me kalimin e viteve, llaçi që i mbante ndërtesat të bashkuara është shembur dhe gjithçka bie nëse nuk kujdesesh për të".

Sot, vizitorët paguajnë një tarifë prej tre eurosh, pak më shumë se tre dollarë, në një kioskë të vogël përgjatë rrugës kryesore, përpara se të hyjnë në Kayaköy.

Qyteti fantazmë që ka mbetur i braktisur për më shumë

Nga aty, mund të eksplorojnë në këmbë rrugicat dhe kalimet, disa prej të cilave janë të pjerrëta dhe të pabarabarta. Në hyrje, tabelat tregojnë drejt shkollës, kishave dhe shatërvanit. Për të përjetuar gjithçka, ia vlen të planifikoni të paktën dy orë.

Me pak vizitorë, përveç grupeve turistike që vijnë herë pas here gjatë sezonit të pikut, është e lehtë të gjesh momente qetësie dhe të imagjinosh se si ky qytet dikur gumëzhinte nga jeta. Sidomos në sheshin e vjetër, ku burrat e zonës mblidheshin për të pirë çaj dhe për të shkëmbyer histori.

Shumica e shtëpive, të ndërtuara në shekullin përpara braktisjes, tashmë kanë humbur çatitë dhe muret e shembura janë mbuluar nga bimësia.

Disa shtëpi kanë gropa në bodrume, që dikur përdoreshin për përpunimin e lëkurëve të kafshëve. Prodhimi i këpucëve ishte një nga profesionet më të përhapura në këtë qytet.

Qyteti fantazmë që ka mbetur i braktisur për më shumë

Shumë prej tyre kanë ende cisterna uji të paprekura, të cilat ishin thelbësore për ruajtjen e ujit në një qytet pa sistem hidraulik. “Uji i pijshëm transportohej me gomarë”, tregon Ekiz.

Ajo kujton gjithashtu se, për shkak të mungesës së kanalizimeve, banorët përdornin copa rrobash të vjetra në vend të letrës higjienike.

Këto copa më pas digjeshin për t'u përdorur si lëndë djegëse ose shpërndaheshin në kopshte si pleh.

Pavarësisht masave të tilla të kursimit, Ekiz thotë se Kayaköy ishte relativisht i begatë dhe dikur qendra kryesore tregtare e zonës, duke tejkaluar edhe portin e afërt të Fethiyes, i cili sot është një qytet i zhvilluar dhe destinacion popullor turistik.

Megjithëse ishte qartësisht një komunitet i lidhur ngushtë, Ekiz këmbëngul se secila prej shtëpive dykatëshe ishte ndërtuar me kujdes, në një distancë të caktuar nga tjetra.

“Të gjitha ishin ndërtuar në mënyrë që askujt të mos i pengohej drita e diellit nga shtëpia e fqinjit”, thotë ajo.

Një reflektim i hidhur

Një nga ndërtesat më të spikatura të qytetit është Kisha e Sipërme, një strukturë e madhe me mure prej suvaje rozë të zbehur dhe tavane të harkuara.

Fatkeqësisht, ndërtesa është e mbyllur për shkak të gjendjes së saj të rrënuar, megjithëse pamje të pjesshme të saj mund të shijohen nga shumë kënde.

Në pikën më të lartë të qytetit, drejt pjesës së brendshme të tij, rrënojat e shkollës së vjetër të Kayaköy ofrojnë pamje mbi kishën kryesore dhe shtëpitë poshtë.

Sot, mbi ndërtesë valëvitet një flamur turk.

Qyteti fantazmë që ka mbetur i braktisur për më shumë

Duke vëzhguar panoramën, Yiğit Ulaş Öztimur, i cili ndodhet me pushime nga kryeqyteti turk, Ankaraja, e përshkruan Kayaköy si “një pasqyrë të errët të së kaluarës sonë”.

“Ky dikur ishte një fshat i krishterë. Ajo që shohim tani është një reflektim i hidhur i asaj që ndodhi”, thotë ai.

“Dhe, për shkak se shumica e ndërtesave janë ende të paprekura, mund ta ndjesh se si ishte jeta këtu.”

Ka shtigje të shënuara për ecje që kalojnë përmes Kayaköy dhe lidhin qytetin me zonat përreth, por është e lehtë të humbasësh rrugën duke eksploruar rrugicat. Disa prej tyre përfundojnë në rrugë pa dalje.

Dyert e hapura dhe shkallët të ftojnë të eksplorosh kudo, megjithëse, për shkak të gjendjes së rrënuar të shumë ndërtesave, vizitorëve u kërkohet të mos hyjnë brenda.

Qyteti fantazmë që ka mbetur i braktisur për më shumë

Në anën tjetër të luginës, përmes rrugëve që gjarpërojnë, ia vlen të ngjitesh drejt kishës më të vogël.

Ngjitja është e pjerrët dhe, në metrat e fundit, kalon mes shkëmbinjve dhe pishave. Më pas, rruga hapet drejt majës së kodrës.

Duke reflektuar kulturën e banorëve që jetonin këtu, kisha i ngjan ndërtesave të vogla tradicionale që gjenden shpesh mbi fshatrat e ishujve grekë.

Është një strukturë e vogël dhe modeste, me çati me kupolë dhe dritare të vogla pa xhama.

Brendësia është krejtësisht e zbrazët. Edhe këtu valëvitet një flamur turk, i kuq i ndezur përballë qiellit blu të thellë.

Dhe poshtë, përtej një kodre të mbuluar dendur me pyje, shtrihen ujërat e shkëlqyeshme të detit Egje. Është një pamje spektakolare, e cila ka ndryshuar pak që nga koha kur Kayaköy ishte plot jetë dhe njerëz. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos