Miratohen rregullat e reja për hyrjet në vendet e BE-së, ja kur nis zbatimi

Nga A2 CNN
30 Korrik 2025, 17:36 | Aktualitet

Miratohen rregullat e reja për hyrjet në vendet e BE-së, ja kur

Bashkimi Europian ka njoftuar se duke filluar nga data 12 tetor 2025 do të nisë zbatimin gradual të një sistemi të ri për kontrollin e hyrjeve dhe daljeve të qytetarëve që nuk janë pjesë e BE-së. Ky sistem i quajtur “Entry/Exit System” (EES) do të zëvendësojë vulosjen tradicionale të pasaportave me regjistrimin digjital të të dhënave biometrike si gjurmët e gishtave dhe imazhi i fytyrës, shkruan A2 CNN.

Zbatimi i këtij sistemi vjen përpara pushimeve të mesit të sezonit shkollor dhe do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek të gjithë turistët apo udhëtarët për qëllime biznesi që nuk janë qytetarë të Bashkimit Europian, përfshirë edhe shtetasit shqiptarë.

Që nga 12 tetori, vendet anëtare do të nisin zbatimin e sistemit EES në mënyrë graduale për një periudhë gjashtëmujore. Autoritetet kufitare do të fillojnë të regjistrojnë të dhënat e shtetasve të vendeve të treta që kalojnë kufijtë. Në përfundim të kësaj periudhe, sistemi do të jetë i funksionalizuar plotësisht në të gjitha pikat kufitare.

Komisioni Europian

Ky sistem është pjesë e strategjisë së re të BE-së për krijimin e “kufijve të zgjuar” që synojnë përshpejtimin e procedurave të hyrjes për udhëtarët e rregullt dhe njëkohësisht forcimin e masave kundër emigracionit të paligjshëm, shkruan A2 CNN. Në disa pika kufitare tashmë kanë nisur përgatitjet. Në udhëtimin e tyre të parë, pasagjerët do të verifikohen ose përmes gjurmëve të gishtave, ose përmes imazhit të fytyrës, jo të dyjave njëkohësisht. Pas regjistrimit të parë, ata nuk do të kenë më nevojë që pasaportat t’u vulosen në hyrje apo dalje.

Ky sistem do t’i japë mundësi autoriteteve të shohin menjëherë nëse një udhëtar ka tejkaluar afatin e qëndrimit të lejuar në një nga 29 vendet europiane, përfshirë ato që janë pjesë e zonës Schengen, por jo anëtare të BE-së.

“Bëhet fjalë për një sistem të avancuar teknologjik që do të regjistrojë në mënyrë digjitale hyrjet dhe daljet e shtetasve jo-BE për qëndrime afatshkurtra, duke zëvendësuar vulosjen manuale të pasaportave. Do të mblidhen të dhëna biometrike si gjurmët e gishtave dhe imazhi i fytyrës, si dhe të dhëna të tjera të udhëtimit”, tha Komisioni Europian.

Megjithatë, zbatimi i një aplikacioni digjital që synohej të lehtësonte procedurën është vonuar, pasi çdo vend anëtar po punon për integrimin e sistemit EES në kuadrin e vet kombëtar të imigracionit. Zbatimi i plotë i sistemit EES pritet të përfundojë brenda gjashtë muajve nga data e nisjes më 12 tetor 2025. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos