Maturantët do të zhvillojnë sot testin e matematikës, i parafundit nga provimet e Maturës Shtetërore. Sipas rregullores, në të gjitha qendrat e provimit, teza hapet në orën 10:00 dhe për dy orë e gjysmë, gjimnazistët do të duhet t'i japin zgjidhje pyetjeve me alternativa dhe zhvillim.
Tashmë vlerësuesit kanë nisur korrigjimin e provimeve të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, rezultate që priten të shpallen pas testit të Matematikës. Matura Shtetërore do të mbyllet më 24 qershor me provimin e lëndës me zgjedhje.
Në dy testimet e para, atë të gjuhës së huaj dhe Gjuhës Shqipe e Letërsisë, teza e provimit u publikua në rrjet 30 -40 minuta pas nisjes së testimit. Por për Ministrinë e Arsimit kjo nuk cenon procesin e provimit.
Kujtojmë se në provimin e parë atë të gjuhës së huaj kishte më pak ekselentë dhe më shumë mbetës. Një ditë më parë në A2 CNN, ekspertja e Arsimit, Ana Llazo, renditi edhe faktorët që ndikojnë në uljen e numrit të ekselentëve dhe rritjen e mbetësve. Sipas saj, është cilësia e arsimit dhe faktorët socialë dhe ekonomikë.
(A2 Televizion)