Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është themeluar në vitin 2019 si pjesë e reformës në drejtësi në Shqipëri, me misionin për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivelet më të larta. SPAK ka iniciuar dhe ndjekur një numër të konsiderueshëm çështjesh penale kundër zyrtarëve të lartë, ka sekuestruar pasuri në miliona euro, duke goditur financat e grupeve kriminale dhe individëve të përfshirë në aktivitete të paligjshme si dhe ka ndjekur operacione të suksesshme në zbulimin dhe parandalimin e veprimtarive kriminale.
Megjithatë pas pese vitesh aktivitet sfidat për SPAK mbeten ende të mëdha. Perceptimi i pandëshkueshmërisë dhe ndikimi politik janë ende shqetësime që duhet të adresohen si: trajtimi i korrupsionit në nivel të lartë, burimet dhe kapacitetet e saj si dhe sigurimi i pavarësisë nga presionet politike dhe ekonomike.
Megjithatë, përballë prokurorëve të SPAK sot kanë parakaluar të gjithë politikanët e lartë, me përjashtim Kryeministrin Rama. Nga opozita e akuzojnë, nga qeveria thonë se e mbështesin. Por a është kështu?
Si janë këto 5 vite te SPAK, 3 të drejtuara nga Arben Kraja dhe 2 nga Altin Dumani?
Përgjigje këtyre pyetjeve ju dha këtë të mërkurë në emisionin Debat nga Alba Alishani në A2 CNN. Avokati Julian Kola tha se SPAK ka tronditur klasën politike shqiptare. “SPAK është një sfidë e sistemit të drejtësisë. Një nga reformat që ka prekur thellë të gjitha institucionet kushtetuese edhe pse nuk ka qenë e para. Në kuadër të kësaj reforme, ishte më e thelluar dhe ka tronditur klasën politike shqiptare, ku besoj se ka qenë edhe qëllimi i kësaj reforme
Isuf Shehu, jurist dhe avokat, tha se puna e SPAK ka qenë e fokusuar në dy drejtime dhe mund të kishte bërë më shumë. “Ajo çfarë ka ndodhur këto 5 vite është një energji e fokusuar në dy drejtime, në kallëzimet e opozitës dhe në dosjet që lidhjen me përgjimet. SPAK duhet të kishte bërë diçka më tepër, por e vërteta është se këto dy gjëra kanë qenë fokusi i SPAK.
Për juristin Ledio Braho SPAK ka thyer tabu për nivelet e larta të politikës, por është ende pas në luftën ndaj krimit të organizuar.
“SPAK ka thyer një lloj tabuje sa i përket niveleve të larta të politikës. Ka një lloj prekshmërie, ndërsa kompetenca tjetër që ka SPAK është krimi i organizuar, aty ku unë mendoj se është ende pas. Po të mos ishin burimet nga BE dhe SHBA besoj do të ishte në nivele më të ulëta”, u shpreh juristi në A2.
Ndërkohë, analisti Ervis Iljazaj tha se SPAK ka thyer mentaliteti e pandëshkueshmërisë dhe sipas tij kjo është shumë më e rëndësishme se teknikalitetet.
“Nëse do të bëjmë një bilanc nuk ka një përgjigje bardhezi, të suksesshëm apo të dështuar, në 5 vite krijimi i SPAK është një fenomen pozitiv. Teknikalitete mund të ketë probleme, por më intereson ta shoh SPAK në raport me politikën dhe këtë drejtim unë mendoj se SPAK ka thyer një mentalitet, ku prokurorët kishin frikë nga njerëzit e pushtetshëm, por kjo barrierë është thyer. Teknalitetet mund të përmirësohen pasi e nuk kemi vuajtur nga ligjet. Kemi një mentalitet komplet tjetër”, u shpreh Iljazaj në Debat. (A2 Televizion)