Shqiptarë nga të gjitha trevat kanë mbushur sheshet e qyteteve ku jetojnë, për të festuar fitoren e Kombëtares shqiptare ndaj asaj serbe.
Mijëra persona kanë ngjyrosur sheshet me ngjyrat kuqezi, duke festuar me këngë dhe valle patriotike, si dhe duke i rënë borive të makinave, shkruan A2 CNN.
Kombëtarja shqiptare arriti një fitore të madhe në Serbi, duke mundur Kombëtaren vendase me rezultatin 0-1.
Ishte Rei Mamaj ai që i ka shënuar gol Serbisë, në minutën e parë të shtesës së pjesës së parë, shkruan A2 CNN.
Goli i tij ka ngritur peshë mijëra tifozë të Kombëtares shqiptare anembanë botës, të cilët u 'mbërthyen' para ekraneve për të ndjekur këtë super-sfidë, në pamundësi për të shkuar në stadiumin në Serbi.
Kujtojmë se sfida e sotme Serbi-Shqipëri ishte vendimtare për fatet e kualifikimit në botëror, shkruan A2 CNN. Fitorja e sotme bën që ëndrra amerikane e Shqipërisë të vijojë.
Sjellim në vëmendje se gjatë ndeshjes së sotme, kishte thirrje të shumta raciste kundër shqiptarëve nga tifozeria serbe, si dhe thirrje në kor 'Kosova është Serbi'. (A2 Televizion)