Juljan Shehu pas fitores kundër Serbisë: Bëmë krenarë gjithë shqiptarët

Nga A2 CNN
11 Tetor 2025, 23:27 | Futboll
Juljan Shehu pas fitores kundër Serbisë: Bëmë krenarë

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Juljan Shehu, ka shpërthyer në emocion pas fitores historike që Shqipëria arriti në transfertë ndaj Serbisë. Në prononcimin e dhënë për “Supersport” menjëherë pas ndeshjes, ai e cilësoi këtë ditë si një nga më të rëndësishmet e karrierës dhe jetës së tij.

“Emocionet janë të papërkueshme. Kjo është një nga ditët më të lumtura të jetës sime. I falënderoj të gjithë pafund që më bënë këtë ditë të mundur. Bëmë krenarë gjithë shqiptarinë,” – u shpreh Shehu.

Mesfushori kuqezi tregoi se motivimi i skuadrës ishte maksimal, pasi të gjithë e kishin të qartë rëndësinë e kësaj përballjeje.

“E dinim që ishte ndeshje jetë a vdekje. Dhamë maksimumin që kjo ditë të vinte. Është dita jonë, që ta festojmë dhe ta shijojmë këtë moment,” – shtoi ai.

Shehu nuk harroi të kujtojë edhe rrugëtimin e tij drejt këtij suksesi, duke përmendur sfidat dhe dëmtimet që e kanë shoqëruar në karrierë.

“Rrugëtimi im, që nga Kastrioti deri sot, nuk ka qenë i lehtë. Pata një dëmtim që më la mbrapa, por puna gjithmonë shpërblehet. Jam i lumtur që kam arritur këtu sot,” – deklaroi lojtari.

“Tirana le të festojë sot, është dita e gjithë shqiptarisë që të festojë,” – përfundoi Shehu, mes entuziazmit dhe krenarisë pas një nate që do të mbetet gjatë në kujtesën e futbollit shqiptar.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos