Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, publikoi në faqen zyrtare të saj listën me emrat e fermerëve aplikantë në shkallë vendi, që janë shpallur përfitues të mbështetjes me subvencione për kultivimin e bimëve mjekësore dhe aromatike.
Sipas AZHBR këtë vit skema mbështet fermerët e bimëve aromatike e mjekësore me 30 mijë lekë për hektar, për sipërfaqe nga 1 deri në 10 hektarë.
Fermerët që kultivojnë në sipërfaqe më të mëdha se 10 hektarë, përfitojnë 50% të masës së financimit për çdo hektar mbi tavanin, shkruan A2.
Ndërsa aplikuesit në grupimet e bashkimit të fermerëve, 7 anëtarë minimalja, përfitojnë 100% mbështetje pa tavan financimi.
Bimët mjekësore dhe aromatike (BMA) janë një sektor tradicionalisht i orientuar nga eksporti, me tregje të zhvilluara dhe potencial të mirë për rritje, që angazhon forca pune në rritje dhe siguron të ardhura familjare të konsiderueshme.
Shqipëria bën pjesë në grupin e 25 eksportuesve kryesorë të BMA në botë. Eksporti i BMA arrin gati 20% të totalit të eksporteve bujqësore të Shqipërisë.
Produktet më të rëndësishme të eksportit janë sherbela, rigoni, trumza, livando, etj. Është regjistruar një fluks i vogël, por në rritje i eksportit të vajrave esencialë, si edhe një rritje e kapacitetit përpunues në vend. (A2 Televizion)