Ndarja nga jeta e gjeniut të letrave shqipe Ismail Kadare ka ngjallur reagime të shumta në vend dhe jashtë tij. Së fundmi Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë ka shprehur pikëllimin e saj për vdekjen e shkrimtarit të madh. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada e SHBA kujton nderimin që i ka bërë Kadaresë dhe thekson se vepra e tij, e cila ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës, do të jetojë si një dëshmi e gjeniut të tij në letra.
“Jemi thellësisht të pikëlluar për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë, letërsia e të cilit frymëzon lexues në mbarë botën. Kujtojmë me kënaqësi që Ambasada e SHBA nderoi Kadarenë me Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë në vitin 2020. Vepra e tij ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës dhe trashëgimia e tij do të jetojë si një dëshmi e gjeniut të tij në letra. Mendimet tona janë me familjen e tij, me të dashurit e tij dhe me popullin shqiptar”. (A2 Televizion)