“Theksohet rëndësia e pavarësisë së drejtësisë”, Shoqata e Gjyqtarëve dhe e Prokurorëve përshëndesin referendumin në Itali

Nga A2 CNN
25 Mars 2026, 15:09 | Aktualitet

“Theksohet rëndësia e pavarësisë së

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë kanë reaguar përmes një deklarate të përbashkët lidhur me referendumin në Itali për ndryshimet kushtetuese në sistemin e drejtësisë, duke vlerësuar rezultatin dhe rolin e magjistraturës italiane.

Në deklaratë, dy shoqatat shqiptare shprehin urimet për Shoqatën Kombëtare të Magjistratëve të Republikës së Italisë, duke theksuar se angazhimi i saj kontribuoi në një debat të hapur dhe në mbrojtjen e parimeve kushtetuese, shkruan A2.

Sipas tyre, rezultati i referendumit dëshmoi mbështetje të qartë për një sistem drejtësie të pavarur dhe funksional, si themel i shtetit të së drejtës.

Deklarata nënvizon se “sistemi italian i drejtësisë ka treguar pjekuri në përballjen me sfidat ndër vite dhe se pavarësia e tij është fituar edhe përmes sakrificave të mëdha në emër të ligjshmërisë”.

Njëkohësisht, vlerësohet roli aktiv i magjistraturës në jetën demokratike dhe në forcimin e besimit të qytetarëve tek institucionet.

Shoqatat shqiptare theksojnë se edhe në Shqipëri mbetet detyrë e institucioneve të drejtësisë dhe e çdo magjistrati që të rrisin besimin e publikut, duke garantuar mbrojtjen e të drejtave dhe lirive kushtetuese. Sipas tyre, drejtësia përbën “oksigjenin” e lirive themelore dhe një element kyç për funksionimin e demokracisë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos