Situata në Tiranë vijon të jetë e tensionuar, me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe zonat përreth Kryeministrisë.
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato “Shqiponja” janë shpërndarë në disa drejtime, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën. Gazetarët e A2 CNN raportojnë se gaz lotsjellës është hedhur edhe pranë Piramidës, ish-hotel “Dajtit” dhe Parkut Rinia.
Një pjesë e protestuesve është larguar nga bulevardi, ndërsa grupe të tjera vijojnë të përballen me policinë, duke hedhur gurë në drejtim të efektivëve dhe duke tentuar të riorganizohen për t'iu afruar sërish Kryeministrisë.
Ndërkohë, forcat e policisë kanë përforcuar kordonët e sigurisë dhe kanë bllokuar qarkullimin në disa segmente rrugore. Kryeministria dhe Kuvendi mbeten zonat ku është përqendruar mbrojtja më e madhe policore.
Raportimet e gazetarëve të A2 CNN nga terreni bëjnë të ditur se gjatë protestës janë dëmtuar dhe bastisur edhe biznese private, ndërsa në disa momente është vënë re edhe kundërpërgjigje me gurë nga efektivë të policisë. (A2 Televizion)