Tre dekada pasion: Më erdhi pëllumbi nga Berlini në Pogradec, 1500 km

Nga Artin Halili dhe Gazmend Janku
7 Shtator 2026, 15:23 | Aktualitet

I nisur si një pasion modest, është kthyer tashmë në një adrenalinë, pa të cilën jeta e tij nuk ka kuptim. Pëllumbat dhe kujdesi ndaj tyre, prej tre dekadash, janë kthyer në një nga qëllimet e jetës së Klement Veshos nga Pogradeci. Madje, këta shpendë janë gjëja e parë që Klementi shikon sa herë që zgjohet në mëngjes.

“Pëllumbat i kam pasur prej 20 vitesh. I vura detyrë vetes këtu e 28 vjet para, e lash edhe cigaren edhe alkoolin e në klube nuk hyja. E thashë këto pare që do prish nëpër bilardo do t’ia jap pëllumbave. Unë si ngrihem në mëngjes e laj sytë, shkoj direkt te pëllumbat. Nuk heq pëllumbat. Ata janë adrenalina ime”, tregon Vesho për A2 CNN.

Dhe ky përkushtim ka dhënë edhe frytet e veta, duke e renditur Klementin dhe pëllumbat e tij ndër fituesit edhe të garave ndërkombëtare që zhvillohen me këta shpendë.

“Po 100 copë po u bënë. E fillova po garoja me qytetarët këtu. Pastaj u krijua federata e pëllumbave. Kilometrat më të gjata është ky pëllumbi që erdhi tani nga Berlini në Pogradec, 1500 km vija ajrore”, thotë Vesho teksa tregon kupat janë që ka fituar me pëllumbat.

Ndërsa Klementi e ka bërë tashmë zgjedhjen e tij, duke marrë parasysh edhe shpenzimet jo të vogla për një familje shqiptare, si në shumë fusha të tjera të jetës, edhe tek ky angazhim mbështetja e shtetit mungon.  “Unë herën e fundit bleva gati 700 e ca euro vitaminat e ushqimet. Shqipëria nuk na ofron ne asnjë gjë. Maqedonia i ka. Ja ofron ushqimin”, tregon ai.

Dhe pavarësisht kostove dhe mungesës së mbështetjes, ai thotë se nuk ka ndërmend të heqë dorë, sepse për të adrenalina e vërtetë nis pikërisht atëherë kur pëllumbi ngrihet në qiell dhe nis garën drejt rikthimit në shtëpi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos