Edhe kjo fundjavë ka shënuar fluks të lartë lëvizjesh në pikën e kalimit kufitar me Kosovën.
Pavarësisht ndryshimit të temperaturave dhe rikthimit të reshjeve, hyrjet drejt Shqipërisë nga pika kufitare e Morinës kanë qenë të shtuara.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Kufirit, vetëm gjatë kësaj fundjave kanë hyrë në Shqipëri mbi 12 mijë shtetas dhe rreth 4 mijë mjete. Mësohet se mes tyre ka edhe pjesëtarë të diasporës, me destinacion Tiranën.
Por edhe lëvizjet nga Shqipëria drejt Kosovës nuk kanë qenë të pakta. Mbi 8 mijë shtetas dhe rreth 2 mijë mjete kanë udhëtuar drejt Prishtinës për të marrë pjesë në “Marshin e Lirisë”, tubimin mbështetës për ish-krerët e UÇK-së, vendimi ndaj të cilëve pritet të jepet më 16 shtator në Hagë.
Orët në vijim, por edhe dita e diel, pritet të shënojnë një tjetër rritje të qarkullimit në dy autostradat Shqipëri–Kosovë dhe anasjelltas.
Lëvizjet e qytetarëve lidhen jo vetëm me kthimet dhe udhëtimet e fundjavës, por edhe me pjesëmarrjen në protestat e zhvilluara në Tiranë dhe Prishtinë. (A2 Televizion)