Të hënën, më 14 shtator, nis viti i ri shkollor në mbarë vendin. Afro 320 mijë nxënës të arsimit parauniversitar do të rikthehen në bankat e shkollës, ndërsa rreth 25 mijë vogëlushë do të ulen për herë të parë në klasë.
Në të gjitha shkollat publike është bërë shpërndarja e teksteve shkollore, të cilat janë falas.
Ministrja e Arsimit ka njoftuar se 14 shtatori nuk do të jetë një ditë e mirëfilltë mësimi, por do t’i kushtohet njohjes së nxënësve me mësuesit, ambientet e shkollës dhe përshtatjes me klasën.
Edhe këtë vit është përcaktuar që telefonat celularë të mos lejohen në klasa, si për nxënësit, ashtu edhe për mësuesit.
Për mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor do të angazhohen edhe pushteti vendor dhe Policia e Shtetit, secili sipas përgjegjësive përkatëse.
Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, tha se shefat e komisariateve kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për monitorimin dhe garantimin e sigurisë pranë shkollave.
Angazhimi i Policisë do të shtrihet edhe në kontrollin e sigurisë së produkteve ushqimore që tregtohen pranë institucioneve arsimore.
Sipas Ministrisë së Arsimit, këtë vit në gjimnazet e kryeqytetit nuk do të ketë mësim me dy turne.
Ndërkohë, 20 shkolla në Tiranë dhe Kamëz do të monitorohen me kamera inteligjente, me qëllim rritjen e sigurisë për nxënësit.
Kreu i Policisë së Shtetit, gjatë konferencës për shtyp, kishte edhe një mesazh për nxënësit, duke i bërë thirrje që të respektojnë rregullat dhe të bashkëpunojnë për krijimin e një mjedisi të sigurt në shkolla. (A2 Televizion)